Fëmijët e grupit parafillor zhvillojnë shkathtësi më të avancuara në kujdes për veten dhe mjedisin. Mësojnë të praktikojnë zhvillimin e shëndetshëm të trupit. Mësojnë për natyrën dhe fenomenet e saj. Krijojnë dhe mësojnë për art, muzikë e kulturë.

Lëndët dhe Programi

Aktivitetet për shkathtësi praktike ndihmojnë fëmijët të pavarësohen në plotësimin e nevojave të tyre dhe të adaptohen në sfida përgjatë rritjes. Me realizimin e aktiviteteve në fushën e shkathtësive praktike,  jemi të angazhuar që t’i ndihmojmë fëmijët të zhvillojnë rendin, përqëndrimin, koordinimin dhe pavarësinë. Aktivitetet brenda kësaj fushe, realizohen përmes të mësuarit praktik, si psh: të ushqyerit e pavarur, përgatitja e ushqimeve (prerja e frutave, prerja e perimeve, pergatitja e lëngut, gatimi i biskotave etj.), kujdesi për rrobat (palosja e rrobave, veshja dhe zhveshja e tyre, vendosja e rrobave në vendin e caktuar, mbathja e këpucëve dhe zbathja e tyre, lidhja e lidhëseve, mbërthimi i pullave), kujdesi për mjedisin (pastrimi i ambientit të klasës, vendosja e mjeteve të punës në vendin përkatës, pastrimi i mjeteve të punës, kujdesi për lulet) etj. Për më shumë, përgjatë realizimit të këyre aktiviteteve, fëmijët zhvillojnë koncentrimin, përvetësimin e shkathtësive sociale, adaptimin me ambientin shoqëror, menaxhimin e vetvetes, si dhe mirëmbajtjen e ambientit ku veprojnë.

Për të ndihmuar fëmijët që të arrijnë përsosjen maksimale të shqisave realizojmë aktivitete me stimuj. Përmes këtyre aktiviteteve zhvillojmë aftësitë e perceptimit shqisor të drejtë të mjedisit, pasurojmë përceptimin dhe përvojën shqisore të fëmijëve, zhvillojmë ndjeshmërinë dhe imagjinatën krijuese, zhvillojmë potencialet dhe prirjet individuale të fëmijëve, si dhe nxisim kurreshtjen kërkuese. Disa nga aktivitetet bazë të cilat realizohen në kuadër të kësaj fushë, përshijnë: aktivitete me ngjyra, aktivitete auditive, aktivitete me prekje, aktivitete me njohje të shijeve, njohje të aromave, dhe aktivitete vizuale (me madhësi, forma, modele, përbërje).

Programi për fushën e edukatës fizikë është dizajnuar për t’i ndihmuar fëmijët në përvetësimin e shkathtësive dhe krijimin e shprehive lëvizëse të cilat ndikojnë në zhvillimin e organizmit të tyre.  Prandaj, aktivitetet të cilat realizohen në kuadër të kësaj fushe, ndikojnë tek fëmijët në përmirësimin e forcës, qëndrueshmërisë, fleksibilitetit, shpejtësisë, në aftësitë konative dhe kognitive, si dhe në aftësitë funksionale. Aktivitetet për fëmijë organizohen në formë argëtuese përmes: lojërave, ecjeve, kërcimeve, vrapimeve, etj. Ndërsa, përgjatë orëve të gjimnastikës fëmijët  realizojnë aktvitete në formën e ushtrimeve të cilat kërkojnë fuqi fizike, lakueshmëri, shkathtësi dhe koordinim. Për më shumë, aktivitetet që i përkasin gjimnastikës artistike realizohen në formë të ushtrimeve me tapetë, ekuilibër, ushtrime në dysheme, kërcim, vrapim, precizitet, fleksibilitet etj. Në fushën e gjimnastikës përfshihet edhe disiplina e gjimnastikës ritmike ku përfshihen aktivitetet me top, me shirit, me rreth, dhe litar.

Në fushën e gjeografisë dhe shkencës realizojmë aktivitete të cilat u ndihmojnë fëmijëve të kuptojnë botën reale, në natyrë, dhe në mjedise të ndërtuara nga vet njeriu. Qëllimi i programit të kësaj fushe, është t’u ofrojë fëmijëve njohuri holisitke, duke filluar nga njohja e tërësisë drejtë njohjeve më specifike të dukurive natyrore. Në kuadër të temave bazë, përfshihen mësime për fushën e zoologjisë dhe botanikës, organizmin e njeriut, ujërat, sistemin diellor etj.

Po ashtu, brenda kësaj njësie realizojmë eksperimente të thjeshta shkencore për të demonstruar koncepte të mësuara në klasë dhe për t’i përfshirë fëmijët në procesin e kërkimit shkencor. Në këtë mënyrë inkurajojmë fëmijët të: hulumtojnë objekte, materiale, dhe ngjarje; të bëjnë pyetje; të përshkruajnë objekte (duke përfshirë formën dhe madhësinë), të krahasojnë; të klasifikojnë dukuritë; të dëgjojnë lexime shkencore; të identifikojnë modele dhe marrëdhënie; dhe të ndajnë idetë me të tjerët.

Përmes artit figurativ tek femijet nxisim të menduarit estetik mbi ambientin, ndihmojmë zhvillimin e përceptimit të formave, hapësirës dhe dukurive natyrore, nxitjen për krijime – artistike dhe zhvillimin e kreativitetit. Përveç historikut të artit figurativ, ndihmojmë fëmijët të shoqërojnë njohuritë e fituara me shembuj të punimeve të ndryshme të artistëve botëror, në mënyrë që të shohin punën e një artisti të veçantë (si: Vincent Van Gogh, Leonardo da Vinçi, Frida Kahlo etj.), të mësojnë për veprat e tyre dhe për materiale të përdorura për krijimin e këtyre veprave. Përmes fushës së artit, fëmjët inkurajohen të vizatojnë (duke krijuar kështu bazën për aktivitete tjera kreative si piktura dhe skulptura), të mësojnë për art multikulturor (teknika tradicionale dhe moderne të artit), të mësojnë bazat e arkitekturës (vizatimin, projektimin, ndërtimin dhe krijimin e strukturave të objekteve) dhe të pikturojnë (me ngjyra të drurit dhe të ujit).

Përmes programit në fushën e kulturës fëmijëve iu ofrojmë njohuri për familjen, shoqërinë, për gjuhët, traditat, ushqimet dhe veҫoritë e popujve dhe kulturave të ndryshme të botës. Aktivitetet për këtë fushë  realizohen përmes fotografive, tregimeve dhe ilustrimeve. Për më shumë, fëmijët jane të angazhuar në luajtjen e roleve, realizimin e punimeve të veshjeve nga kultura të ndryshme, dhe pregatitjen e ushqimeve të veҫanta varësisht nga kultura për të cilën do të mësojmë. Përmes këtyre mësimeve i informojmë fëmijët me kultura të ndryshme botërore, tolerancën ndërkulturore dhe dallimin apo ngjashmëritë ndërmjet popujve në botë. Poashtu fëmijët, në përputhje me temën e mësimit,  punojnë aktivitete si: trungu familjar, vegla të ndryshme të punës, gatime të ushqimeve, flamuj kombëtar, ushtrojnë përshëndetje në gjuhë të ndryshme, diskutojnë mbi vepra të artit, etj.

Qëllimi i programit të edukatës muzikore, është që t’i ndihmojmë fëmijët  të krijojnë dhe të zhvillojnë interesim për muzikën dhe veglat muzikore. Në kuadër të kësaj fushe, së bashku me fëmijët e grupit parafillor, realizojmë këngë, ushtrojme luajten e instrumenteve muzikore dhe lojëra ritmike. Për të nxitur rritjen e aftësive muzikore, përveç përdorimit të instrumenteve reale,  fëmijët i inkurajojmë të formojnë instrumente muzikore nga materiale të ndryshme të recikluara, nga përdorimi i enëve të ndryshme për goditje, si dhe krijimin e tingujve përmes duartrokitjeve.

Përveç tjerash, i inkurajojmë fëmijët të dëgjojnë muzikën dhe të mësojnë për llojin e muzikës,  vlerësimin e saj dhe instrumentet e përdorura. Tekstet muzikore të cilat përdoren për të realizuar aktivitetet e kësaj fushe, jane të përshtatura me grupmoshën e fëmijëve duke përcaktuar efektin edukativ të tekstit dhe qëllimin e tekstit (edukativ dhe argëtues, si psh.: mësimi i shkronjave, mësimi i këngëve për festat, mësimi i këngëve për frutat, etj.).

Përmes shfaqjeve teatrale, bashkë me fëmijët, ngjarjet, përrallat dhe tregimet e ndryshme i ofrojmë në një formë më reale për ata. Kështu, fëmijëve iu mundësohet të interpretojnë ngjarjet dhe sfidat, të rrisin vetbesimin në komunikim para grupit, dhe të stimulohen që të interpretojnë fjalët dhe shprehjet e reja të mësuara. Përveç cështjeve të lartëshënuara, programi poashtu synon të zgjojë interesimin e fëmijëve për artet interpretuese.  Prandaj, në mënyrë që të arrijë qëllimin e plotë, materialet teatrale përgaditen sipas qëllimit (psh. për t’u argëtuar, informuar ose edukuar), formës së materialit (rrëfime klasike, mite, legjenda nëpër kultura ose tregime për fëmijë), efektit edukativ (informimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve për gjëra të caktuara), dhe teknikave për realizimin e shfaqjes (improvizim, teatër fizik, valle, lëvizje, këngë, kukulla, maska ose kostume) etj.